Dy parti dalin kundër Projektligjit që u mundëson qytetarëve tërheqjen e parave të Trustit

Projektligji për Pakon e Rimekëmbjes Ekonomike ndodhet në pikat e rendit të ditës të seancës së Kuvendit të Kosovës që është caktuar për të enjten.

Por, nëse projektligji vihet në votim rrezikon të mos kalojë prapë, sikurse ndodhi më 14 gusht.

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar votimin kundër kësaj pakoje, e cila parasheh edhe çështjen e shumë-diskutuar të tërheqjes së një pjese të vogël të kursimeve qytetare në Trustin Pensional.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Eman Rrahmani ka deklaruar se Projektligji i Pakos së Rimekëmbjes Ekonomike është i papërgjegjshëm.

“Plani i Rimekëmbjes Ekonomike do të jetë 1.1 miliardë, kurse në Kuvend do të vijë me 160 milionë. Kështu që, nuk kemi të bëjmë fare me rimekëmbje ekonomike dhe si të tillë nuk kemi asnjë arsye për ta votuar”, ka thënë Rrahmani për Klan Kosovën.

Derisa në Partinë Demokratike të Kosovës, thonë se Projektligji është i mangët, teksa nuk mbështet dy shtresat që kanë më së shumti nevojë: kategoritë në mbrojtje sociale dhe kategoritë e dala nga lufta.

Ndërkaq, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se Pakoja e Rimekëmbjes Ekonomike duhet të kalojë, sepse në të kundërtën shteti do të ketë probleme të shumta.

Në qoftë se ky projektligj kalon në Kuvend, do të ketë përfitime dhe lehtësira për bizneset dhe për qytetarët. Tetë ligje është paraparë të ndryshohen përmes tij.

Me ndryshimet e iniciuara nga Ministria e Financave, përmes këtij projektligji qytetarët do të kenë mundësi të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në Trustin e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Financave kishte njoftuar qytetarët disa javë më parë se atyre nuk do t’u kompensohej shuma e tërhequr nga Trusti. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *