Flet përsëri Driton Selmanaj, i kundërpërgjigjet VV-së që i kërkuan dorëheqjen

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj mbrëmë në një emision televiziv duke folur për të pagjeturit ka thënë “mjaft më se jemi lodhur me përdorimin e temave tepër të ndjeshme për qëllime tejet të ulëta politike”.

E lidhur me deklaratën e tij kanë reaguar Lëvizja Vetëvendosje e po ashtu edhe shoqëria civile të cilët po kërkojnë dorëheqjen e tij.

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se Driton Selmanaj duhet të shkarkohet sa më parë e pas tij edhe Qeveria.

Media lidhur me këtë kërkesë të VV-së ka kërkuar përgjigje nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Selmanaj ka thënë se fushata e VV-së ndaj tij është e turpshme dhe e pamoralshme.

Mirëpo, nuk ka dhënë përgjigje se a do të jep dorëheqje apo jo.

“E turpshme dhe e pamoralshme fushata e VV-së, ndaj meje. Sa ishin në Qeveri, kryeministri i tyre thoshte që ne heqim nga tavolina e bisedimeve me Serbinë kushtin për të zbardhur fatin e të pagjeturve . Qeveria Hoti këtë temë që prek gjithsecilin prej nesh e ka ngrit si prioritet në Bruksel, Paris, Washington e Berlin dhe do të vazhdojë me përkushtimin dhe sinqeritetin me të plotë”, ka thënë ai.

Selmanaj ka pohuar se Vetëvendosja po shfrytëzon viktimat dhe se kjo është future si pjesë e kulturës së tyre e që është për të ardhur keq.

“Lufta politike e Kurtit dhe VV-së duke shfrytëzuar viktimat dhe fatkeqësitë kombëtare kundër të tjerëve që është fut si pjesë e kulturës së tyre është për të ardhur keq dhe tregon që nuk kursen asgjë dhe askë për të arritur qëllimet e tyre politike”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai, ka thënë se me përgjegjësinë më të lartë e konfirmon se asnjëherë nuk e ka thënë atë që po e thonë në VV.

“Unë me përgjegjësinë më të lartë morale e konfirmoj se asnjëherë nuk kam thënë atë që VV-ja falsifikoi turpshëm në opinion”, ka thënë Selmanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *