Konjufca tregon elementin e vetëm pozitiv në marrëveshjen e Washingtonit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se e vetmja e mirë e marrëveshjes së Washingtonit është vendosja e relacioneve diplomatike me Izraelin.

E, deri sa ka folur për këtë Konjufca ka përmendur katër pika e që sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën.

“ “Kur t’i vendosim katër pika tjera karshi kësaj, që është fillimisht tërheqja nga njohja, e dyta është krijimi i kësaj zone të lirë ekonomike bashkë me Serbinë ku ka pranuar të hyjë Qeveria e Kosovës në të ashtuquajturin projekt i Mini-Shengenit. Pra, para se të na njohë Serbia do që të krijojë një zonë të përbashkët ekomomike me Kosovën. Edhe Kosova kishte refuzuar deri tash me këtë Qeveri. Kosova e ka kritikuar vazhdimisht deri në momentin kur e qiti nënshkrimin Avdullah Hoti”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova.

Sipas tij, për herë të parë në historinë e negociatave po fillon relativizmi i resurseve të Kosovës

“Përveç kësaj, për herë të parë në historinë e negociatave po fillojnë të relativizohen resurset e Kosovës. Nuk ka ndodhur në ndonjë proces prej 33 raundeve të problematizohen resurset e Kosovës. S’mbaj mend të jenë përmendur Ujmani apo Trepça sepse kjo është konsideruar se është çështje e ndjeshme dhe ka pas rezistencë nga ana e Kosovës që këto të mos hapen sepse janë resurset më të rëndësishme të Kosovë dhe këtu për herë të parë e kemi sikur edhe Serbia me qenë edhe hisenike e Ujmanit, që është shumë problematike për Kosovën”, ka shtuar Konjufca, përcjell Insajderi.org

Ndërsa, duke folur për heqjen dorë për aplikim në organizata ndërkombëtare, Konjufca ka deklaruar se një shtet subjektivitetin e vet ndërkombëtar e ushtron duke aplikuat në organizata e jo duke hequr dorë.

“Pika e katërt shumë negative për Kosovën është gatishmëria me vullnet të plotë që të suspendojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pra, subjektivitetin ndërkombëtar një shtet e ushtron edhe duke e pas të drejtën e vet për aplikim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera Konjufca.

Konjufca, tha se për këtë heqje dorë e fajëson Qeverinë e Kosovës duke thënë se SHBA pa kursyer asgjë ka përkrahur Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ku ka pas ndikimin. Ai shton se në këtë drejtim nuk është interes i SHBA-së që Kosova të pezullojë këtë aktivitet tepër të rëndësishëm për shtetësinë e saj.

Derisa tha se Serbia po shkel marrëveshjet e nënshkruara në Washington, Konjufca është i bindur se rëndësia e marrëveshjes duhet të jetë në përmbajtje dhe jo në vendin ku u nënshkrua – edhe pse këtë të fundit e konsideroi si të mirë për Kosovën./Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *