Lul Raka flet rreth rikthimit të sportit në Kosovë: Numri i sotëm, karton i verdhë për qytetarët

Mikrobiologu Lul Raka ka folur rreth rikthimit të mundshëm të sportit në Kosovë, në kohën e pandemisë së Covid-19.

Sporti është i paraparë të kthehet nga fillimi i qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave, shkruan Insporti

Por, sipas mikrobiologut Raka, numri i sotëm i të infektuarve [gjithse 14 dolën pozitiv], në aspektin sportiv është një karton i verdhë për qytetarët e Kosovës.

Në emisionin ‘Sports Show’, Raka është pyetur se a duhet të rifillojë apo jo sezoni i futbollit në Superligën e Kosovës, teksa kanë mbetur 11 xhiro për t’u luajtur.

“Unë mund të flas nga aspekti shëndetësor. Duhet t’i demoralizoj të gjithë ata që po presin përgjigje. S’ka përgjigje as prej meje as prej askujt në këtë pyetje”.

“Numri i ri i të infektuarve, në spektin sportiv është karton i verdhë për qytetarët e Kosovës”, tha Raka, transmeton Insporti.“Varet si do të shkojë trendi. Në fazën e tretë është planifikuar të fillojnë sportet kolektive, por varet prej gjendjes epidemiologjike”.

“Nuk e dimë se si do të jetë situata javën e ardhshme apo dy javët e ardhshme. Futbolli na mungon të gjithëve, na ka marrë malli të shikojmë futboll. Mirëpo në aspektin shëndetësor kryefjala është shëndeti i futbollistëve dhe i gjithë sportistëve tjerë”, shtoi Raka.

“Sportistët në përgjithësi, në kushte normale kanë mushkëri ideale, por paradoksi tjetër është që në aspektin e ekspozitimit ndaj infeksioneve dhe alergjenëve, këta janë në rrezik më të madh, sepse mushkërite e tyre janë si thithëse elektrike, që i akceptojnë mikroorganizmat apo alergjenët”.

“Futbolli bashkë me sporte tjera si basketbolli e hendbolli, për shkak se është sport kolektiv ka rrezikshmëri të lartë”, përfundoi Lul Raka. /Insporti.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *