Paralajmërohet destabilizim në vend, Specialja ka vetëm 6 ditë afat për të konfirmuar aktakuzat për Thaçin e Veselin: Javë e “nxehtë”

Kanë mbetur vetëm edhe 6 ditë deri në përfundimin e kohës kur Gjykata Speciale duhet të marrë një vendim, lidhur me aktakuzat e pranuara për presidentin Hashim Thaçi, dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor të këtij viti.

Vendimi për hedhjen poshtë apo konfirmimin e tyre pritet të bëhet më 24 tetor, atëherë kur bëhen edhe plotë gjashtë muaj që nga dorëzimi i saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzën në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari, njëherit lideri i PDK-së, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë kr.imesh kundër njerëzimit dhe kr,imesh lu,fte, ndër të cilat vr,asje të paligjshme, zhdu,kje të detyruar të personave, përndjekje etj.

Analisti i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke e komentuar situatën, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetëm propozim aktakuza lënë të kuptohet se do të ketë konfirmim të saj, e që do të ndodhë ditën e shtune, dita e fundit e paraparë nga Specialja.

“Nëse bazohemi tek propozim-aktakuza e publikuar nga prokuroria e Gjykatës Speciale në të cilën presidenti Hashim Thaçi akuzohet për 100 vr.asje, kjo le për të kuptuar se do të kemi vërtetim të kësaj akuze edhe nga Gjykata Speciale, dhe do të ketë proces gjyqësor ndaj presidentit aktual”, ka thënë fillimisht Haziri.

Haziri është i mendimit se me konfirmimin e aktakuzës për presidentin Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli, vendi do të hyjë në një periudhë të panjohurave të mëdha sa i përket situatës politike.

Madje, ai paralajmëron se vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje të reja, që sipas tij, do të mund të krijonte një destabilitet institucional e politik të pafavorshëm për Kosovën.

“Kjo natyrisht se do të ketë impaktin e saj në situatën politike në vendin tonë, pasi Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga ana e Gjykatës Speciale domosdoshmërish duhet të dorëhiqet dhe me këtë akt, Kosova do të hyjë në një periudhë të panjohurave të mëdha sa i përket situatës politike, edhe ashtu të brishtë kur kemi polarizim të skajshëm të kësaj skene politike, kur raportet në mes pozitës dhe opozitës janë të tendosura, dhe të baraspeshuara sa i përket fuqisë vendimmarrëse në Kuvendin e Kosovës, ku dallimin në mes tyre e bëjnë një apo deri në dy deputetë, çfarë tregon se vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që do të sillte një destabilitet institucional e politik, e që nuk do të ishte i favorshëm për Kosovën dhe situatën në të cilën gjendemi”, shprehet analisti politik, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, Haziri paralajmëron se java që po vije jo vetëm që do të jetë ne nxehtë, mirëpo, ai parashikon se ngritja e aktakuzave jo për Thaçin, por edhe për tjerët, të jetë një një lloj testi për Kosovën.

“Pra, na pret jo vetëm një javë e ashtuquajtur e nxehtë, por një periudhë sfiduese për Kosovën, për faktin se ngritja e aktakuzave jo vetëm ndaj Thaçit, por edhe ndaj figurave të tjera që kanë pasur peshë në skenën politike të Kosovës për këto dy dekada, pra do të jetë edhe një lloj testi për dhe shoqërinë tonë në përgjithësi se sa jemi të pjekur për t’u sjellë në mënyrë të arsyeshme karshi këtij procesi të drejtësisë të domosdoshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, tha në fund analisti i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë. Ato kanë seli në Hagë të Holandës, ndërsa personeli i tyre është ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *