Zbulohet skenari, ja kush ia siguroi pragun Nismës, alarmohen Kurti dhe Osmani

Gjatë ditës është raportuar se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohen në fund të kësaj jave. Krerët e dy partive do të takohen për të shikuar deri ku ka arritur harmonizimi i Programit Qeverisës për të cilin deri më tash janë takuar Grupet Punuese të këtyre dy partive

Për të folur rreth ecurisë së bisedimeve, “Bota sot”, ka kontaktuar njohësin e zhvillimeve politike në vend.

Prof. dr. Binak Maxharraj, në një bisedë të gjatë, ka deklaruar se “skenari” me Nismën në Kuvend është bërë me të vetmin qëllim që të pengohet koalicioni VV-LDK, i cili do ta dërgonte deri në fund amanetin e votuesve.

Ai gjithashtu mendon se prapa subjektit të Fatmir Limajt qëndron Pronto Mafia. Maxharraj për gazetën “Bota sot”, është shprehur se dëshira e Pronto mafisë u realizua, për çka sipas tij edhe u bë e gjithë kjo rrëmujë ditëve të fundit.

“KQZ që nga 6 tetori i këtij viti e rrotulloi krejt “botën”, e kriminalizoi votën e lirë të popullit nën trysnin e Pronto mafisë vetëm e vetëm që të gjejë ndonjë pyke për ta futë midis LVV-së dhe LDK-së. Dhe Valdete Daka është e specializuar për gjetjen e pykave më në fund i dredhi dhe përdrodhi votat e popullit dhe e gjeti pykën të quajtur Nisma të cilën në bazë të jo ligjëshmërive e futi në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si dy subjekte më të votuara. Kjo u bë me qëllim që të pengohet koalicioni i cili do të dërgonte deri në fund amanetin e votuesve për ndryshime të cilat i kërkojë. Dhe si duket dëshira e Pronto mafisë u realizua për çka edhe u bë e gjithë kjo gjurullti rreth numërimit të votave. Por fatkeqësia më e madhe ndodhi me drejtësinë tonë të rrënuar, që nuk zbaton as nëne, as ligje, por veç zbaton ligjet e Pronto mafisë ashtu siç e konvenojnë asaj”, është shprehur Maxharraj.

Sipas Maxharrës, partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit duhet që sa më shpejtë të arrijnë marrëveshjen e koalicionit midis tyre, përkundër që ai thotë se, “kupola e krimit po mundohet që me çdo çmim ta frenojë formimin e qeverise së re”.

“Fatkeqësisht, por me shumë mjerisht në këtë kurth të Pronto mafisë ra PZAP-i, dje Gjykata Supreme të cilat katërçipërisht janë të kapur nga mafia politike që ende është në pushtet. Kjo bëri të mundshme që numërimi dhe rinumërimi sipas diktatit të bëhet për të futë dreqin dhe birin e dreqit midis partive që fituan zgjedhjet. Kjo po e zhargit edhe shpejtësinë e krijimit të koalicionit parimor midis VV-së dhe LDK-së, por midis këtyre dy partive po ka edhe neglizhencë, ngadalësi, duke bërë kushtëzime njëra-tjetrës e sidomos nga ana e LDK-së. Mendoj se LVV dhe LDK duhet që të jenë të vetëdijshme për situatën në të cilën i pruri Pronto mafia dhe duhet sa më shpejtë të merren vesh për krijimin e koalicionit midis tyre, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, amaneti i sovranit duhet të dërgohet në vend për të bërë ndryshime të mëdha dhe për ta nxjerrë vendin nga katandisja që e dërgojë kupola e krimit”, është shprehur Maxharraj.

Mes te tjerave, Maxharraj ka nënvizuar se është shumë e rëndësishme që koalicioni VV-LDK mos ta pranojë assesi që brenda të futet edhe Nisma e Limajt.

“Janë iniciativë qasjet e Presidentit inert, jo unifikues, por çorientues i vendit, i cili në stilin e tij qartas, por edhe në fshehtësi përmes vizitave private që të vejë hije të zezë mbi këtë koalicion e sidomos në Lëvizjen Vetëvendosje. Mendojë së është shumë e rëndësishme që ky koalicion mos ta pranojë assesi që brenda të futet edhe “mishi i egër” Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, sepse këtij koalicioni LVV dhe LDK nuk i duhet që të këtë elemente të krimit të organizuar përbrenda saj, sepse ajo aty është dërguar jo nga populli, por nga politika e kriminalizuar jo për të ndihmuar një qeverisje, por për të prishur, për te shantazhuar këtë qeverisje. Kjo është e qartë. Më mirë është, dhe shumë më e ndershme, që të shkohet në zgjedhje të reja, se sa të krijohet një qeveri me pyka, sepse pykave, partive xhuxhe, Kosova gjithmonë ua ka pa sherrin”, ka përfunduar Maxharraj, për gazetën “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *